Real Madrid sqaron situatën e Mbappe

Real Madridi ka sqaruar situatën e Kylian Mbappé-së, pas kritikave të shumta që sulmuesi francez mori për udhëtimin e tij në Paris gjatë periudhës së rikuperimit nga dëmtimi.

Sipas “L’Equipe”, klubi madrilen konsideron se Mbappé është kritikuar në mënyrë të padrejtë nga një pjesë e medieve dhe tifozëve, pasi qëndrimi i tij në Francë ishte i miratuar nga Real Madridi dhe pjesë e planit të rikuperimit.

Mbappé pësoi dëmtimin gjatë një ndeshjeje të kombëtares së Francës ndaj Turqisë dhe më pas iu rekomandua të pushonte, në vend që të vazhdonte me rutinën e zakonshme të stërvitjes.

Megjithatë, shfaqja e tij në Paris së bashku me partneren e tij, Ester Expósito, shkaktoi kritika në Spanjë. Fakti që kapiteni i Francës ndodhej larg qendrës stërvitore të Real Madridit në Valdebebas ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si po e menaxhonte rikuperimin.

Por qëndrimi i Real Madridit është i qartë: Mbappé nuk ka shkelur asnjë pjesë të planit të tij të rehabilitimit.

Klubi i ka dhënë leje sulmuesit të qëndrojë në Francë, ndërsa trajneri José Mourinho, stafi i tij dhe departamenti mjekësor i Real Madridit kanë qenë në dijeni të plotë të planeve të lojtarit.

Sipas raportimeve, drejtuesit madrilenë nuk e kanë konsideruar të arsyeshme që Mbappé të rikthehej në Valdebebas vetëm për të ndjekur rutinën e zakonshme të stërvitjes dhe fizioterapisë. Në këtë fazë të rikuperimit, pushimi është vlerësuar si alternativa më e përshtatshme.

Plani i rehabilitimit është dakordësuar mes vetë Mbappé, José Mourinhos dhe stafit mjekësor të klubit. Real Madridi beson se procesi po menaxhohet në koordinim të plotë mes të gjitha palëve.