Një tjetër pretendent hyn në skenë. Jo vetëm kaq, por me interesimin e Arsenalit, ka arritur kulmi i gjuetisë për kartonin e Armando Brojës për sezonin e ardhshëm. Mediat britanike shkruajnë se trajneri i londinezëve, Mikel Arteta, ka mbetur i impresionuar nga paraqitjet e sulmuesit të kombëtares shqiptare, dhe ka vendosur të luftojë për ta marrë në skuadër. Nuk jepen shifra, por Arsenali është padyshim emri më i madh i Premier Ligës që synon shërbimet 20-vjeçarit, madje është ekip me histori më të madhe në Angli sesa Çelsi që zotëron kartonin e shqiptarit. Vetë Sauthemptoni, ekipi ku sulmuesi luan këtë vit, dëshiron t’ia blejë kartonin, ndërsa në skenë kanë dalë radhazi ekipe si Njukasëlli, Uest Hemi apo Lids Junajtidi sa për të dhënë disa emra.
Broja ka shënuar 6 gola në kampionat dhe 7 në sezon për Sautheptonin, duke qenë më i miri për moshën deri 20 vjeç. Paraqitja e tij në “Old Traford” ndaj Mançester Junajtidit ishte me të vërtetë e madhe. Arsenali kërkon të forcojë sulmin, pasi Obamejang shkoi tek Barcelona, ndërsa Vlahoviç zgjodhi Juventusin. Për më tepër, sulmuesi tjetër Lakazetë përfundon kontratën në verë. Arsenali ka pasur probleme sezonet e fundit, por këtë vit duket se është rikthyer si një nga ekipet më të mirë të Premier Ligës, dhe mund të kualifikohet për në Champions sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al