Nuk ka armiq në biznes, takohen Florentino Perez dhe Al Helaifi

Restoranti më i mirë në botë qenka dikush në Paris, me emrin “Savoja” (Savoy). Kështu mësojmë nga mediat spanjolle, ndërsa në këtë restorant qenkan takuar mbrëmjen e së hënës dy nga presidentët më të fuqishëm të futbollit, Florentino Perez i Realit dhe Naser Al Helaifi i Paris SG, në rolin e të zotit të shtëpisë. Besohet se sheiku i PSG-së ka paguar edhe faturën, ndërsa kjo tregon se në biznes nuk ka armiqësi të përjetshme. Dy klubet janë në relata disi të përkeqësuara nga fati i ardhshëm i Kilian Mbapesë, ndërsa do të ndeshen këtë mesjavë në Champions.

Me gjasë, dy presidentët kanë folur për Mbapenë, ndonëse vështirë të kenë qenë të sinqertë. Al Helaifi ende shpreson që kampioni i botës të rinovojë me PSG-në, ndërsa Perezi e pret në “Bernabeu”. Në 2017, parizienët ia hodhën madrilenëve kur e morën Mbapenë për 180 milionë euro, ndërsa verën e kaluar, francezët refuzuan 200 milionë eurot e Perezit për kartonin e tij.

Sfidanti.al