Prag Siti-PSG, misteri për Mbapenë dhe ëndrra e Guardiolës për finalen!

Do të luajë apo jo sonte? Kilian Mbape është çështja e madhe në prag të duelit që përcakton finalistin e parë në Champions, ndërsa sulmuesi i Paris SG udhëtoi bashkë me skuadrën për në Mançester. Nënkampionët e Europës luajnë në fushën e Sitit sonte në orën 21:00 dhe kampioni i botës është në dyshim për shkak të një dëmtimi. Ai nuk luajti në fundjavë në ligën franceze, por u stërvit në stadiumin “Etihad”. Nëse Mbape luan, trajneri Poçetino nuk do të ketë shumë shqetësime për formacionin, me Gejenë të pezulluar, Bernatin të dëmtuar dhe Dagbanë gjithashtu në dyshim. Francezët u mundën 1-2 në Paris nga anglezët, dhe Poçetino e di sesa e vështirë do të jetë.

“Do të vendos në fund për Mbapenë, nëse ai mund të luajë apo jo, – tha argjentinasi, – do të bëjmë lojën tonë, do të kemi skemën tonë të zakonshme, siç kemi bërë gjithnjë. Duhet të jemi gati për një sfidë shumë të vështirë, dhe të shfrytëzojmë shanset. Na duhet të shënojmë dy gola”.

Edhe kolegu i tij, trajneri i Sitit, Guardiola, u ngacmua duke i kujtuar se Mbape mund të mos luajë. “Ai do të luajë dhe unë mezi po pres që të luajë, – tha ai, – Për futbollin, për vetë ndeshjen, është mirë që ai të luajë”. Më pas, trajneri katalanas tregoi sesi e mendon përballjen. “Jam i privilegjuar që i jetoj këto momente, – tha Pepi, – Është privilegj që jam këtu. Jemi në prag të një ndeshjeje të rëndësishme që duhet ta luajmë mirë dhe ta fitojmë. Kemi një avantazh të vogël, por lojtarëve të mi u them të mos e mendojnë sikur jeta jonë varet nga kjo. Kjo është një ndeshje e radhës, ta luajmë si të tillë dhe të kënaqemi me këtë moment.

Siti thuajse nuk ka asnjë problem, vetëm Erik Garsia mungon i sëmurë. Nga Franca vjen një thirrje për skuadrën e saj. E përditshmja “L’Ekip” titullon: Përballë historisë! i mundur 1-2 në të parën, PSG duhet të realizojë një mrekulli të madhe për t’u kualifikuar në gjysmëfinalen e dytë radhazi në Champions!” Mançester Siti është favorit për kualifikimin, por presioni do të jetë i madh për një ekip që nuk ka dalë kurrë më parë në finale të Championsit.

Sfidanti.al