Goli i Vojvodës, një homazh për kujtimin e Torinos së Madhe!

Ishte fatlum që shënoi pikërisht mbrëmjen e fundit. Mërgim Vojvoda nuk e mendoi në ato momente, ndërsa siguroi thuajse praktikisht mbijetesën e Torinos në Serinë A edhe për këtë sezon, ndërsa zbriti Parmën nga kategoria, por goli i tij ishte edhe kujtimi më i bukur që shqiptari i Kosovës mund t’i bënte paraardhësve të tij në këtë klub.

Pikërisht ditën e sotme, 4 maj, mbushen 82 vjet nga tragjedia e Supergës, katastrofa ajrore ku u shua skuadra më e mirë e Europës në atë kohë, Torinoja e Madhe. Të 31 njerëzit në bord u shuan kur avioni u përplas me murin e bazilikës së Supergës, mes të cilëve të gjithë futbollistët. Vojvoda, ndërsa foli për kënaqësinë e golit e të fitores, nuk harroi të përmendte edhe Torinon e Madhe.

“Ndihem shumë mirë sepse ishte goli im i parë, por sidomos sepse fituam, – tha mbrojtësi, – kjo është gjëja më e rëndësishme. Është edhe më e bukur kur përfundon 1-0. Unë e njoh historinë e klubit, e kam mësuar gjatë këtij sezoni dhe sot do të nderojmë kujtimin e Torinos së Madhe. E gjithë Italia është tifoze me Torinon e Madhe sepse mesa di unë, ishin 10 lojtarë që luanin në kombëtare”.

Futbollisti 26-vjeçar i përfaqësueses së Kosovës po zhvillon me të vërtetë një sezon shumë të mirë në Serinë A. Ai ka një gol e dy asistë në sezonin e tij të parë në elitën italiane, ku ka qenë në fushë për 21 ndeshje, ndërsa ka pasur probleme fizike. Vojvoda u bë i dyti lojtar i Kosovës që shënon në kampionat pasi këtë gjë e bëri para tij Vedat Muriqi. Sulmuesi i Lacios realizoi në fitoren 3-1 arritur në fushën e Atalantës, ndonëse ndryshe nga mbrojtësi po kalon një sezon tepër të vështirë në kryeqytet.

Sfidanti.al