Pak ditë më parë e kishte nënkuptuar qartë, ndonëse ishin disa fjalë mes rreshtave. Në një intervistë pas shkarkimit nga Totenhemi, Zhoze Murinjo ishte shprehur se nëse do t’i jepej mundësia të kthehej në Itali me një skuadër tjetër, pra jo me Interin, nuk do të mendohej dy herë. Mesa duket, bisedimet ishin në vazhdim dhe portugezi nuk deshi të zbulonte më shumë, veçse sot u dha lajmi se ai do të jetë trajneri i ri i Romës. Portugezi 58-vjeçar ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare dhe kjo ka ndodhur vetëm pak orë pasi klubi kryeqytetas lajmëroi përfundimin e marrëdhënieve me teknikun Fonseka në fund të sezonit. “Falenderoj familjen Fridkin, – deklaroi Murinjo, – që më zgjodhi mua të drejtoj këtë klub të madh dhe të jem pjesë e vizionit të tyre”. Murinjo fitoi dy tituj të Serisë A me Interin, po ashtu Championsin dhe Kupën e Italisë, në dy sezone që punoi në Itali e tani po kthehet për së dyti. Ai u shkarkua nga Totenhemi për rezultate të dobëta, ndërsa trofetë e fundit të fituar janë në 2017 me Ligën e Europës me Mançester Junajtidin, e në 2015 me Premier Ligën me Çelsin.
Sfidanti.al