Futbolli vlen kur luhet, dhe në fushë skuadra bëri detyrën. Reali pati një paraqitje të madhe në La Liga, duke fituar 3-0 në fushën e Kadisit e duke u barazuar qoftë edhe përkohësisht me Atletikon në krye të renditjes, veçse përtej golave dhe tri pikëve, rëndon kriza lidhur me Superligën Europiane. Nëse tifozët u lumturuan dy rrjetat e shënuara nga Karim Benzema, në formë vërtet të shkëlqyer, ata shqetësohen për pozicionin e skuadrës së tyre në Champions.
Lajmet mediatike janë që presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, kërcënon me ndëshkim për rebelët, dhe kjo mund të ndodhë që këtë edicion të Ligës së Kampionëve. Ekziston një mundësi sado e vogël që Reali të përjashtohet dhe të mos luajë gjysmëfinalet ndaj Çelsit. Për këtë u pyet presidenti Florentino Perez, i cili foli edghe për Superligën në “Kadena Ser”.
“Superliga Europiane nuk ka vdekur, – tha ai, – Duhet ta realizojmë sa më shpejt që të mundemi. Në gusht të këtij viti apo gushtin tjetër, sa më shpejt. Dua të pyes tifozët e Realit: Është gabim që duam të luajmë në mesjavë me ekipet e Mançesterit apo me Barcelonën? Nuk e preferojnë tifozët e Çelsit? Ata që dolën në rrugë ishin nja 40 vetë! Ne duam që të luajmë ndaj më të mirëve. Nuk besoj se do të na ndalojnë të luajmë ndaj Çelsit”.
Mediat spanjolle u morën edhe me Superligën Europiane, por edhe me La Ligën. “Me Karimin gjithçka është më e lehtë, – shkruan “Marka”, – paraqitje e madhe e Benzemasë duke udhëhequr Madridin në Kadis. E përditshmja i bën jehonë fjalëve të Perezit: Jam i trishtuar dhe i zhgënjyer!” “Super Liga dështon”, shkruan “El Mundo Deportivo”, që thekson se nëse Reali e Barcelona do të shpalleshin kampionë, do të fitonin 600 milionë euro! Perez denoncon agresivitetin e UEFA-s!”
Trajneri Zinedin Zidan natyrisht flet për fitoren 3-0 dhe për Benzemanë. “Jam shumë i lumtur me këtë që po bën Karimi, – tha Zidani, – jo vetëm për golat që shënon. Është shumë i rëndësishëm për ne, është shumë në formë. Le të shpresojmë që ta kemi mes nesh për sa më shumë vjet. Luajtëm mirë, shënuam dhe nuk pësuam gola, por ka ende mjaft ndeshje, në La Liga dhe në Champions”. Reali ka 70 pikë në La Liga, kur duhen edhe 7 javë deri në përfundim.