Më të mirë sesa shefin ekzekutiv të Bajernit të Mynihut nuk kishte se ku gjendte. Aleksandër Çeferin e dinte se nuk mund të niste një kryqëzatë i vetëm ndaj 12 klubeve të mëdhenj të Europës, ashtu siç e dinte se edhe ndaj UEFA-s pakënaqësitë janë të mëdha. Për këtë arsye, presidenti i futbollit europian u përpoq të arrinte një kompromis me grupin e rebelëve, të paktën që gjendja të mos shkonte deri në skaj. Për këtë arsye i duhej një ndërmjetës dhe ky doli të ishte Karl-Hajnc Rumenige. Ai është lider i një klubi të madh, ashtu siç janë Reali, Barcelona, Mançester Junajtidi, Juventusi, Liverpuli, Milani apo Interi, dhe po ashtu ishte përfaqësues i një klubi që e kishte refuzuar Superligën Europiane. Me gjasë, Rumenige e bëri ndërmjetësimin, natyrisht për aq sa pati mundësi. “Unë jam i njohur si njeri i dialogut, jo i luftës, – tha ai për mediat italiane, – UEFA më kërkoi ndërmjetësim. Unë nuk kam shkopin magjik, por rëndësi ka që fitoi futbolli”.
Sfidanti.al