“Xhungla” e largimit të Mesit nga Barcelona, nga planet e kapitenit tek dorëheqja e Bartomeut!

Secili ka planin e tij, por situata duket pa kthim. Lionel Mesi është i vendosur për t’u larguar nga Barcelona, çfarëdo që të ndodhë, ndërsa lajmet për qendrimin e presidentit Bartomeu janë kontradiktore. Nëse disa media shkruajnë se numri 1 i klubit është i vendosur për ta takuar kapitenin e për ta bindur që të mos ikë, ka të tjera që lajmërojnë se klubi do të bëjë ç’mos për të marrë dëmshpërblimin e duhur financiar në rast se numri 10 nuk kthen mendje. Presidenti mësohet të ketë thënë se dëshiron të takojë argjentinasin me patjetër, dhe se është i sigurt se ka aq argumente sa për të bërë që të ndryshojë kurs.

Së fundmi, televizioni katalanas TV3, informon se Bartomeu qenka gati të dorëhiqet nëse ky veprim ndihmon që Mesi të qendrojë në “Kamp Nou”. Një gjë të tillë e kërkojnë tifozët, të cilët kanë shpërthyer në protesta duke kaluar edhe barrierat e sigurisë në kompleksin e “Kamp Nout”, pa u ndalur dot nga rojet e sigurisë. Gjithsesi, kapiteni duket se e ka ndarë mendjen dhe se nuk ka forcë në botë për ta kthyer mbrapsht. Mësohet se ai do të paraqitet në stërvitje të dielën, sipas programit të klubit, për t’u vendosur nën urdhërat e trajnerit Ronald Kuman.

Të përditshmet në Spanjë njoftojnë se tekniku holandez paska përdorur një shprehje të rëndë në takimin me kapitenin, duke i thënë se “ka ikur koha e privilegjeve për ty”. Kjo gjë, dhe vendimi për të larguar Suarezin kanë qenë arsye më shumë që numri 10 të jetë i bindur për t’u ndarë me klubin ku kaloi 20 vjetët e karrierës së deritanishme. Ai gjithashtu nuk ka besim se projekti katalanas mund ta ndihmojë për të fituar Championsin, gjë që është ëndrra e tij kryesore. Deri tani ai ka fituar 4 Champions, dhe dy prej tyre nën drejtmin e Pep Guardiolës në 2009 e 2011, në finalet e famshme ndaj Mançester Junajtidit.

Tashmë duket e sigurt se Leo do të kalojë pikërisht tek Mançester Siti që ka Guardiolën në stol. Trajneri katalanas nuk e ka fshehur kurrë admirimin për të, dhe shpesh ka thënë se “më i miri në botë është vetëm një, dhe më i miri është Mesi”. Në Argjentinë janë të bindur se numri 10 ka arritur një akord 3-vjeçar me Sitin, ndërsa pritet të shihet se çfarë do të ndodhë. E sigurt është se Mesi nuk dëshiron të shkojë në gjyq me Barcelonën, por shpreson që të arrijë një marrëveshje, ndoshta mbi bazën e 200 milionë eurove.

Sfidanti.al