Legjendat s’kanë zili, Agustin Kola ngre në qiell Tiranën dhe Egbonë!

Nuk i kupton kritikat dhe nënvleftësimin, ndërsa mendimin e tij e ka të fiksuar fort. Tirana që u përball me Crvena Zvezdën në Champions e bëri të lumtur njërën prej legjendave më të mëdha në historinë e këtij klubi, Agustin Kolën. Ish-sulmuesi i shquar i viteve 80-90-të, vlerëson me nota të larta në të gjitha drejtimet paraqitjen e skuadrës, duke i dhënë meritat të gjithëve, që nga presidenti Halili, trajneri Egbo dhe lojtarët.

“Meritë kanë të gjithë, Ridi (presidenti Halili), lojtarët, ka meritë të madhe Egboja, – tha Kola, – kur u hodh shorti pata frikë se do hajshim shumë gola, por Tirana luajti shumë mirë. U tregua si ekip profesionist, në çdo aspekt të lojës ishte më lart se Crvena Zvezda, pavarësisht emrit të kundërshtarit. Le ta marrim me rastet, me zotërim topi”.

Kola ka vetëm një vërejtje për Egbonë, ndonëse e quan gabim normal. “Do t’i bëj Egbosë vetëm një vërejtje, edhe pse nuk është ndonjë gjë e madhe sepse askush nuk mund të jetë i përsosur, – tha “Tini”, – mendoj se nuk duhej të zëvendësohej Kobina, sepse është lojtar më përvojë, dhe Tirana nuk kishte të tjerë lojtarë me përvojë. Ai lojtar duhet për një moment”.

Ai kujton kohën kur Tirana e tij pati një sfidë të ngjashme me këtë të sotmen, ndaj Dinamos së Bukureshtit në 1986, dhe e mbylli me sukses. “Ne kishim kompleks inferioriteti sepse nuk dilnim shumë jashtë shtetit, por kur ishim para ekipeve të fortë, mblidheshim dhe jepnim më të mirën, – tregon ai, – si kampionat atëherë ishte më i fortë se sot, por lojtarët sot dalin jashtë, nuk kanë komplekse”.

Kola ndihet optimist kur vjen puna për Ligën e Europës, dhe për kampionatin. “Tirana duhet edhe të ket fat në short dhe gjatë ndeshjeve, sepse me Zvezdën nuk pati fat, por unë e shoh shumë mirë ekipin, më të fortë sesa vjet, dhe për mua është për titull”, – përfundon Agustin Kola.

Sfidanti.al