Janë luajtur 13 javë nga Kategoria Superiore dhe duket sikur futbolli elitar i Shqipërisë vazhdon të jetë një përzierje midis efekteve të pandemisë dhe të bojkotit. Duket se ka mbetur vetëm Vllaznia e rikthyer në klasë pas vitesh mungese në apel, për të thënë se kampionati ynë nuk është vetëm për ndarjen e vendeve të Europës, por diku mund të gjesh edhe pak kënaqësi. Shkodranët po argëtohen, qoftë edhe duke shfrytëzuar indiferencën e ambjentit dhe në të njëjtën kohë po dhurojnë futboll që ia vlen të ndiqet. Tashmë shanset e tyre për trofe janë realisht të mëdha, pasi edhe reagimi serioz i kundërshtarëve të listës së shkurtër të Superiores, nuk duket se do të ndodhë shpejt.
Kampionët e Tiranës janë kthyer sërish në një skuadër e zakonshme, ndoshta edhe nga ndërhyrjet e shpeshta dhe të paarsyeshme në skuadër, të cilat qëllimin e kishin për ta perfeksionuar, por që e kanë detyruar të vuajë një efekt bumerang. Dhe Tirana po kalon nga ato momentet jo të panjohura më parë, që kur nuk është tradicionale të fut në një gjendje ankthi. Ndërsa si për ironi, në këtë periudhë dimri të rrezikshëm po pritet një merkato shumë milionëshe, që kampionët e vjetshëm të rikuperojnë distancën -12 pikë nga Vllaznia.
Ndërsa Partizani është i paqartë, nëse është viktimë e problemeve të reja, apo atyre të mbartura. Skuadrës iu bllokua merkato dhe në të njëjtën kohë shpërthyen ankesat për numrin shumë të kufizuar të mbrojtësve në dispozicion të Dajës. Në fakt, Partizani është një nga skuadrat që ka pësuar më pak, por që vazhdon të ketë marrdhënie shumë të këqija me portat kundërshtare. Ashtu si edhe Teuta, ku është i ekzagjeruar entuziazmin për mungesën e humbjeve, ndërkohë që duhen trajtuar si problem fitoret e munguara. Ndërsa Kukësi po, ka nevojë për një vaksinë për të kthyer dëshirën për të luajtur, agresivitetin, sakrificën në ekip, pasi një grup kaq “akademik” nuk i përshtatet fare realitetit të kohës që po jetojmë, aq më shumë atij shqiptar. Në atë skuadër ka shumë cilësi për të qenë Vllaznia, por mungon nota e sjelljes në fushën e lojës e kështu që edhe ata si kampionët e Tiranës, ndodhen 12 pikë larg shkodranëve.