Van Dajk lë pas gjithë yjet e Liverpulit, përveç Kutinjos!

Jo të gjithë lojtarët në skuadër paguhen njësoj, dhe kjo ndodh edhe tek Liverpuli. Në piramidën e pagave, më i miri mbetet Filip Kutinjo që fiton 200 000 paund stërlina në javë (225 000 euro), dhe kjo do të thotë 10.5 milionë euro në sezon. Pas tij, për momentin vjen i sapoardhuri Virxhil Van Dajk, të cilit iu dha paga 180 mijë paund në javë, pra 200 mijë euro në javë apo 9.4 milionë euro në vit.

Nëse largohet Kutinjo për tek Barcelona, Van Dajk bëhet “mbreti” i rrogave, diçka që ndoshta nuk do të shikohet me sy të mirë nga disa prej yjeve. Holandezi e di vetë se “e ka tepruar”, ndonëse përpiqet të arsyetojë. “E di se i kam kushtuar shtrenjtë Liverpulit, – u shpreh ai, – por, kjo jo për fajin tim, por për fajin e tregut”.

Sidoqoftë, jo gjithkush është në këto nivele dhe Liverpuli ende nuk ka një bordero pagash të barabartë me Çelsin, Sitin apo Junajtidin. Gjysma e lojtarëve marrin më pak se 50 000 stërlina në javë, ndonëse kjo do të thotë gati 3 milionë euro në sezon. Më pak i vlerësuari për momentin është i riu Ben Udbërn me 5 000 paund në javë, që do të thotë 300 000 euro në vit.

Sfidanti.al