Ka shqetësuar jo pak njerëz dhe, më tepër se këdo tjetër, natyrisht përveç familjarëve, trajnerin e Kombëtares shqiptare, Silvinjo, i cili padyshim duhet të ketë nxituar të kapë telefonin pas asaj që ka parë të enjten në mbrëmje, në ndeshjen midis Granadës dhe Real Betisit, në takimin e vlefshëm për javën e 7-të të Kampionatit Spanjoll të Futbollit.
Sulmuesi Myrto Uzuni, ka lënë fushën e lojës për shkak dëmtimi që në pjesën e parë, duke shtuar problemet për trajneri kuqezi. Përtej faktit që kishte shfaqur probleme fizike në ndeshjet e kaluara, Uzuni u aktivizua edhe të enjten si titullar nga trajneri Pako Lopez, por në minutën e 36-të të ndeshjes, pas një kontakti me kundërshtarin, sulmuesi shqiptar u rrëzua në tokë dhe menjëherë tregoi se kishte probleme muskulore. Pasi fizioterapistët hynë në fushë, kërkuan zëvendësimin e lojtarit i cili doli dhe u ul në stol. Në një komunikim të shkurtër telefonik me RTSH Sport, vetëm futbollisti ka sqaruar se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, teksa ky është një problem që ai e vuan prej disa kohësh, por që nuk pritet ta pengojë luajë.
“Kam bërë mbrëmë vizitat dhe analizat e nevojshme dhe sapo kam marrë përgjigjen nga mjekët e skuadrës që gjithçka është në rregull, – ka thënë futbollisti kuqezi shkurtimisht për RTSH Sport, duke shtuar: “Ky është një problem me muskujt e barkut që unë e vuaj prej disa kohësh dhe do të vazhdoj ta vuaj edhe për disa muaj të tjerë, por do të përpiqemi ta mbajmë nën kontroll me anë të qetësuesve. Por kjo nuk më pengon të luaj dhe unë jam gati, si për skuadrën, ashtu edhe për Kombëtaren dhe mezi pres të vijë 12 tetori.” Natyrisht, fjalë të tilla janë muzikë për veshët e Silvinjos, vetëm dy javë para ndeshjes ndaj Republikës Çeke, aty ku padyshim luhet fati i kualifikimit të Shqipërisë për në Evropian.