Kompleksi i dikurshëm i inferioritetit sot nuk ekziston. Janë larg kohët kur futbolli italian e shihte atë anglez nga poshtë-lart, të paktën për kombëtaret, ndërsa dy skuadrat do të kenë sot sfidën e radhës. Vërtet të kaltrit e arritën fitoren e parë vetëm në 1973, madje dy të tilla radhazi ku heroi i golave ishte sidomos Fabio Kapelo, por sot ata kanë epërsi në bilanc, madje arritën të ngrinin e trofeun e Kampionatit Europian në “Uembli”, në finalen ndaj shpikësve të futbollit. Italia luan sot në stadiumin e Uolverhemptonit ndeshjen e tretë në Ligën e Kombeve. Trajenri Mançini u dha lejë Bonuçit dhe Belotit për të shkuar me pushime, por nuk ka shqetësime të tjera. Pas fitores 2-1 ndaj Hungarisë, tekniku pritet të bëjë ndryshime në formacion, ndërsa nuk bën krahasime me finalen e Europianit.
“Është një ndeshje e ndryshme, – thotë ai, – këtë herë nuk do të ketë as tifozë. Ne e fituam atë ndeshje që duhej fituar, por nëse do ta fitonim edhe këtë, nuk do të ishte keq. Kemi një rrugë të gjatë për të bërë për të rinovuar ekipin, një rrugë e vështirë dhe me ndonjë rezultat negativ. Gjithsesi, djemtë kanë cilësi, zhvilluan dy ndeshje të mira sipas meje, por kanë nevojë për kohë. Le të presim pak”.
Anglezët nuk pritet të kenë Kevin Filipsin dhe Fikajo Tomorin, po ashtu Aleksandër-Arnold është larguar nga ekipi. Fil Foden besohet të jetë gati, dhe në formacion mund të jenë Grilish, Belingham dhe Abraham. Rotacionin e pohoi trajneri Sauthgejt, që foli fillimisht për dënimin e Anglisë që të luajë pa tifozë, pas trazirave në prag të finales së Europianit. “Është një turp për ne si vend që luajmë pa spektatorë, – tha tekniku, – pjesa më e madhe e atyre që krijuan probleme nuk janë tifozë futbolli. Gjithsesi, kemi folur mjaft për këtë temë. Shumica dërrmuese e tifozëve tanë janë të shkëlqyer, siç e treguan edhe në Gjermani. Italia është një mundësi e mirë për lojtarë të tjerë që meritojnë të luajnë, edhe pse ne duam që ta fitojmë ndeshjen”. Italia ka 4 pikë pas dy ndeshjeve në grup në Ligën e Kombeve, ndërsa Anglia ka vetëm 1 pikë, po në dy përballje.
Sfidanti.al