Humbja ishte e rëndë dhe duket se ka ndikuar edhe tek ai. Edi Reja është një nga personazhet me më shumë përvojë në futboll në të gjithë botën, por u duk tepër i mërzitur dhe i nervozuar pas humbjes me Izraelin. Kombëtarja shqiptare u mund me përmbysje në “Arenën Air Albania” në sfidën e Ligës së Kombeve, dhe tekniku italian fillimisht kritikoi lojtarët, por duke qenë kontradiktor.
“Ndeshjet duhet të dish t’i lexosh, – tha fillimisht ai duke nisur me kritikat për lojtarët, – Ne luajtëm mirë në pjesën e parë dhe kaluam në avantazh në mënyrë të merituar. Izraeli është skuadër e fortë me lojtarë të rëndësishëm në mesfushë dhe në sulm. Për fat të keq ndodhi njësoj si në Islandë, kalojmë në avantazh, pastaj i dhurojmë golin. Pësojmë gol në kundërsulm. Kjo gjë nuk duhet të ekzistojë. Kur bëhen këto gabime nuk mund të rritesh kurrë”.
Pas pak, italiani e kuptoi se e teproi dhe e ndryshoi “pllakën”. “Natyrisht, nuk dua që t’i kritikoj shumë lojtarët, por duhet të përmirësohemi, – tha ai, – Gabime të tilla nuk mund të bëhen. Izraeli fitoi me meritë”. Më pas, kur erdhën pyetjet për lojtarë të veçantë, për skemën dhe sidomos nëse ndihet i rrezikuar për t’u shkarkuar, Reja sulmoi gazetarët.
“Ç’janë këto diskutime që bëni, – tha tekniku gjithë nerva, – Gjithmonë merreni me të njëjtën gjë. Flisni për futbollin, sepse jeni mësuar të flisni për gjithçka, përveçse për futbollin. Nuk e keni idenë e vlerave. A e patë Izraelin se çfarë lojtarësh ka, se çfarë vlerash ka. Duhet t’i bëjmë komplimente lojtarëve tanë për atë që bënë, për shpirtin që dhanë në fushë dhe sakrificën. Kur bëhen pyetje duhet të jemi edhe të drejtë në gjykim, jo vetëm duke kritikuar. Kritika duhet të ekizstojë, por jo kështu. Trajnerët janë gjithnjë të rrezikuar, në çdo skuadër, gjithnjë”.
Sfidanti.al