Do të luanin sërish ndaj këtij kundërshtari që i turpëroi. Kombëtarja e Bullgarisë ishte e vendosur që të reagonte pas disfatës së rëndë 2-5 pësuar në Sofie nga Gjeorgjia, por me atë që ndodhi sot, duhet të mendojnë së pari për shëndetin. Njëri nga autobusët që e transportonte ekipin nga aeroporti i Tbilisit drejt hotelit i doli nga kontrolli shoferit dhe pësoi një aksident të rëndë në një tunel. Si pasojë e përplasjes, mbeti i plagosur mesfushori Todor Nedelev. Futbollisti 29-vjeçar u transportua me urgjencë në spital pasi mori plagë serioze në kokë dhe iu nënshtrua operacionit.
Gazetarët dhe zyrtarë të Federatës Bullgare të Futbollit informojnë se Nedelevi pati një thyerje të kockës së kafkës, traumë kraniocerebrale, dhe një copë e kockës rrezikoi t’i hynte në tru e t’i shkaktonte hemorragji të brendshme. Për fat kjo nuk ndodhi dhe tani Nedelevi ndodhet në gjendje të stabilizuar në spital, nën kujdesin e mjekëve. Ai nuk rrezikon jetën, madje sipas mjekëve të kombëtares bullgare mund të kthehet në fushë pas 3 muajve. Për fat, nga përplasja e autobusit nuk pati asnjë të dëmtuar tjetër, nga lojtarët, trajnerët, stafi mjekësor apo zyrtarët. Bullgaria luan nesër në fushën e Gjeorgjisë në nivelin C të Ligës së Kombeve duke pasur 2 barazime dhe një humbje deri tani.
Sfidanti.al