Pirlo që tani ndjen presionin, por le ta krahasojmë me Alegrin!

Mediat dihet që nuk të përkëdhelin sepse duan të kenë sa më shumë lexues, dhe kjo ndodh kur kritikon. Këtë e bënë të përditshmet kryesore sportive italiane ndaj Andrea Pirlos, ndërsa trajneri i Juventusit e sheh veten në vështirësi të mëdha.

“Kush e ka parë Juven, – kritikon edhe e përditshmja torineze, “Tutosport”, – leksion i ashpër futbolli nga Barcelona, që imponohet në Torino. Shumë gabime dhe rrëmujë, duhet shumë më tepër se kaq!” “Juvja në pozicion jashtë loje, – thumbon “La Gazeta delo Sporti”, – Barcelona dominon në Champions, anulohen 3 gola të Moratës. Bardhezinjtë në vështirësi!”

Pozicioni jashtë loje tri herë ishte i Alvaro Moratës, me 3 gola të anuluar, por në një pozicion të keq është edhe Pirlo. Në Itali thonë se trajneri është në “kapolinia”, do me thënë ka nisur “numërimi mbrapsht”, por nuk besohet që drejtuesit juventinë të nxitohen. Ata kanë përvojën me Maks Alegrin në 2015, kur skuadra bëri një rinovim dhe e nisi keq kampionatin, por më pas “fluturoi”.

“Barcelona ishte më mirë se ne në organizimin e lojës, – u shpreh trajneri juventin, – ka kohë që luan kështu dhe është më e mësuar. Ne po përpiqemi të ndërtojmë diçka të re. Kemi lojtarë me përvojë të paktë dhe që nuk kanë luajtur ndaj kundërshtarëve të tillë. Fitoi personaliteti i Barcelonës, ne ishim të druajtur”.

Sfidanti.al