Igli Tare me dhimbje koke, Lacio mund të mos luajë në Serinë A ndaj Torinos!

Barazimi në Belgjikë u vlerësua si një mrekulli. Lacio është në momentin e saj më të vështirë, e goditur nga dëmtimet dhe koronavisuri, aq sa drejtori sportiv, Igli Tare, mund të kërkojë shtyrjen e ndeshjes së Serisë A ndaj Torinos. Në Champions ndaj Bryzhit doli 1-1, ndërsa trajnerit Simone Inzagi i munguan tre lojtarë me dëmtime, Eskalante, Radu e Luliç, por edhe 8 të tjerë për shkak të epidemisë, ndër të cilët futbollistë të rëndësishëm si Imobile, Lukas Leiva, Luiz Felipe, Luis Alberto, Kataldi, Laxari, Anderson dhe Armini. Për në Belgjikë, u desh të thirreshin 4 lojtarë nga ekipi U21, ndërsa nga ekipi i parë ishin në dispozicion vetëm 12 vetë.

“Situata jonë është surreale, – pohoi Tare, – do ta mendojmë nëse do të kërkojmë shtyrjen e ndeshjes ndaj Torinos, gjithsesi duhet të presim verifikimin e të gjithë testeve të bëra për koronavirusin. Të premten do të nxjerrim përfundimet dhe do të shohim se çfarë do të kërkojmë”.

Mes atyre që munguan ishin edhe portieri i kombëtares shqiptare, Tomas Strakosha, që është i izoluar si masë paraprake, ndërsa i kanë marrë tamponin, ndonëse nuk dihet nëse ai do të dalë pozitiv apo negativ për koronavisur. Në pjesën e dytë për Lacion luajti sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, që po përpiqet t’i bëjë vend vetes në skuadër, ndonëse kuptohet se do ta ketë të vështirë.

Sfidanti.al