Këtij Partizani duket se nuk i mjaftoi titulli kampion, megjithëse për ta fituar për herë të 16-të iu desh më shumë se çerek shekulli. Për të arritur deri këtu u nevojit një investim gradual, shoqëruar me riinjektimin e një mentaliteti fitues, që prej kohësh kishte humbur. Por mbi të gjitha ishte i nevojshëm një ambjent i qëndrueshëm, madje jo shumë spektakolar, pasi ky nocion në futbollin shqiptar është shumë i kushtueshëm, por gjithmonë i tepërt. Dhe kështu që Skënder Gega ia doli me një skuadër modeste, por shumë të disiplinuar dhe të bindur. Kjo në fakt ishte pjesa sportive, pasi mund të ketë ndikuar edhe ndryshimi i strategjisë së klubit, pasi gjatë sezonit të kaluar u propagandua gjatë fakti, që Partizani po i normalizonte ndjeshëm marrëdhëniet me drejtuesit e FSHF-së dhe tashmë është i gatshëm për ta fituar kampionatin. Në fakt ne e përjetuam me entuziazëm kthimin e klubit të kuq në majën e futbollit shqiptar, por në të njëtën kohë humbëm një legjendë të dikurshme, e cila nuk e kishte karakteristikë të bënte komplimente të tepërta dhe as kompromise me një sistem që gjithnjë e më shumë po kalbej.
Po nga ana tjetër ka shumë mundësi që kjo lëvizje taktike t’i ketë bërë dëm edhe jetgjatësisë së Partizanit dominues. Dikush ka filluar të mendojë se strategjia e re të mban fitues sido që të ndodhë dhe cënoi arsyen e vërtetë pse ky ekip ishte i fortë në fushën e lojës. Skënder Gega ja la vendin pa dëshirë Franko Lerdës dhe italiani na paraqiti dy fytyra që në ditën e prezantimit. Kishte pranuar me përulje që merkaton t’ia bënin të tjerët, ndërkohë që shpalosi edhe një natyrë të mbushur plot me arrogancë, në marrëdhieniet me futbollistët dhe ambjentin sportive jashtë skuadrës. Për të gjetur formacionin e tij shpenzoi të katër ndeshjet e kupave të Europës, të cilat veç të tjerash nuk janë pjesë e fazës përgatitore, por një burim i rëndësishëm financiar i klubit për sezonin pasardhës. Ndërkohë që duket se ende nuk e ka gjetur skuadrën ideale dhe në katër ndeshjet e para të kampionatit ka koleksionuar dy humbje, të fundit shkaktuar pikërisht nga Sula i Partizanit… Megjithëse edhe Starova vetë duket se është zbutur ndjeshëm.