Nga derbi i zyrave tek Tirana – Partizani… ka futboll për të gjithë

Duket se shefat e arritën një marrëveshje dhe kështu që akti i fundit i Asamblesë së FSHF-së vetëm sa është shtyrë pak, për t’u luajtur pas disa ditësh. Dhe padyshim që do të jetë fotokopje e gjithçkaje të luajtur në futbollin tonë të zyrave gjatë dy dekadave të fundit, i mbushur me intriga dhe me Dukën që thërret se duhet parë nga e ardhmja, pavarësisht se prej një jete mban në duar një timon që i është bërë si tatuazh. I vetmi që u sakrifikua pa treguar as minimumin e respektit ishte Krenar Alimehmeti, të cilit i organizuan një mini-asamble, e shpallën fitues dhe më pas, për të zbutur gjakrat ja fshinë emrin, sikur të mos kishte ekzistuar.

Por megjithatë na ka mbetur ende diçka për të shijuar nga futbolli i fushës, megjithëse ata që duhet të trajtohen si protagonist absolutë, pikërisht prej kësaj gare të ashpër për zyra, janë kthyer në aktorë rolesh episodikë. Gjithsesi, nesër do të kemi derbi dhe megjithëse tashmë Tiranën e kanë harruar të vetme në krye të tabelës së klasifikimit, përballë do të ketë një Partizan që ka ndryshuar me shpejtësinë e dritës. Prej kohësh ka qenë një ndeshje dekori, e cila është luajtur shumë më bukur në rrugët e kryeqytetit dhe shkallët e stadiumit, ndërsa tani, duke parë pak edhe cilësitë e ekipeve është koha të pretendojmë për pak më shumë futboll.

Ndërkohë që pyetja për 100 pikë është: Si po duron kaq shumë Safet Gjici i Kukësit? Trajneri i tij Italian që i drejtohet publikut në anglisht, po ja bën skuadrën aq të zakonshme, sa nuk ka qenë që kur ka mbërritur në Kategorinë Superiore. Por misteri po reziston, madje pas çdo humbje spektakolare del me nga një alibi, ndërsa Gjici ende nuk e ka zgjedhur gjuhën e përshtatshme për të komunikuar me të. Ndërsa në fund fare është rehatuar Skënderbeu, një skuadër që pasi i harroi vitet e lavdisë, tani ka humbur edhe shpresat për të mbijetuar…

K.Shabani