“Muaji i mjaltit” me UEFA-n mbaron?, në federatë e kanë me përtesë të flasin për gabimet e tyre

UEFA e shtrëngoi dorën këtë herë sepse ndoshta votat e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut të unifikuara nuk ia janë dashur hë për hë. Nuk ka zgjedhje në asnjë nivel dhe sot duhet që ndoshta “masha” e Disiplinës të bëjë punën për të cilën funksionon dhe ekziston. Në paralajmërimin e gjatë, “garnitura” është gjoba që FSHF-së i djeg jo pak ndërsa “tërheqja e veshit” për mungesë organizimi dhe transparence ne shitjen e biletave, djeg edhe më shumë. Shitja e biletave në kaosin e krijuar nga një proces i dyshimtë mund të jetë objekt hetimi në vendimin e radhës, ndërsa delegati ka mbajtur shënim me të kuqe edhe infiltrimin e mediave e kamerave pa lidhje në ambjente që në asnjë rrethanë nuk duheshin lejuar. Kush e ka fajin për këtë? Ushtria e FSHF? Ndoshta, por fakti që gjatë viteve të fundit i ka bërë të ndihen të paprekshëm nga UEFA që doli garant edhe për zgjedhjet e kontestuara, nuk do të thotë se këtë mburojë mund ta marrin për të mirëqenë sepse në një bashkëjetesë nuk ka vetëm ngritje por edhe ulje e në këtë rast FSHF ndoshta mund të bëjë llogaritë me humorin e prishur në Nyon.

sfidanti.al