“Ditë e re, nafakë e re”, thotë populli, ndërsa 2017-ta për Kristiano Ronaldon është “ditë e re, çmim i ri”. Pasi fitoi 5 trofe kolektivë me Realin, që nga Championsi deri në Kupën e Botës për klubet, ai rreshtoi Çmimin e lojtarit të vitit nga FIFA dhe Topin e Artë të Frans Futbollit, por ja edhe Çmimin Sportisti më i mirë i vitit në Europë, të organizuar dhe votuar nga 26 agjenci të njohura të shtypit.
Portugezi triumfoi në konkurrencën e fortë me Ljuis Hamiltonin, kampion i Formula 1, dhe Rozher Federerin, fitues i Grand Slemeve në Australi e Uimbëlldon në tenis. CR7 mori 159 pikë ndaj 143 të Hamiltonit e 124 të Federerit. Ky çmim ka nisur të jepet që në vitin 1958, me nismë të agjencisë polake të lajmeve PAP, ndërsa për Ronaldon ishte fitorja e dytë radhazi. Federer është njeriu më i suksesshëm në historinë e çmimit pasi e ka fituar 5 herë në vitet 2004-2009.
Sfidanti.al