Largimi i Ilir Dajës nga stoli i Tiranës nuk ka asgjë për të çuditur, madje edhe mënyra që u përdor është normale për drejtuesit e klubit bardheblu. Në fund të fundit, Daja nuk ishte në grupin e fituesve dhe për largimin u përdor mënyra standart… një telefonatë nga dikush, për të bërë të ditur se duhet të fillosh të kërkosh një punë tjetër. Të tjerëve përpara tij nuk ju kanë mjaftuar as titujt kampionë për të mbetur në detyrë. Të gjithë mund ta kujtojnë historinë e largimit të Sulejman Starovës, që ishte një arrogancë absurde, menjëherë sapo fitoi trofeun më të madh në vend. Po të njëjtin fat ka pasur edhe Shkëlqim Muça, madje edhe në kthimin e fundit, nuk pati respektin që meriton një figurë e tillë, ose siç quhet me përkëdheli brenda klubit: “Njeriu i familjes”.
Tashmë, në vend të Dajës kanë zgjedhur Mirel Josën, madje kishin kohë që e kishin zgjedhur, por nëntë vjet më parë e larguan nga pankina edhe atë me një telefonatë, menjëherë pas festës me titullin e kampionit. Kjo është Tirana, vendi ideal për të tradhëtuar trajnerët kampionë. Nëse fiton maksimumin, thirrja që të vjen në telefon nuk është urim, por tregon që je në telashe.