Tirana “nuk do” që ta fitojë titullin, Skënderbeu nuk do që të rrëzohet!

Barazimi në Ballsh thuajse e nxjerr nga gara për titull edhe pse i mbeten edhe 5 ndeshje. Rezultati 0-0 bëri që Tirana thjesht të barazohet (ndoshta përkohësisht) me Laçin me 50 pikë në renditjen e Superligës, por që të mbetet 5 pikë prapa Teutës kryesuese. Duke qenë se nesër luhen ndeshjet Partizani-Apolonia dhe Vllaznia-Teuta, si dhe Laçi-Kukësi. Kjo do të thotë se, të kuqtë mund të shkojnë 7 pikë para bardhebluve, një diferencë shumë e madhe kur në lojë janë edhe 15 pikë. Bylisi e tregoi veten se është ekipi i fortë në fushën e tij, ndonëse Tiranës i ka marrë pikë edhe në kryeqytet, ndërsa nuk dëshiron të dorëzohet pa luftë, dhe nuk dëshiron të bjerë nga Superliga. Mallakastriotët kanë 30 pikë, një pikë më pak se Kastrioti, dhe një pikë më shumë se Skënderbeu.

Kjo renditje u krijua pasi Skënderbeu arriti një fitore të madhe 2-0 në Kamzë ndaj Kastriotit, duke ia shtuar vetes mundësitë për mbijetesën. Korçarët po drejtohen mirë nga trajneri Migen Memelli dhe tani janë jo vetëm pranë largimit nga zona direkte e rënies për në Kategorinë e Parë, por edhe pranë mbijetesës. Në Kamzë vendosën golat e shënuar nga Zhan Viktor në 66’ dhe Vangjeli në minutën e 10-të shtesë, ndërsa portieri vendas Hidi priti një penallti.

Sfidanti.al