Formula 1, Hamilton dominon në Portugali dhe merr kryesimin!

Mercedesi mbetet sërish makina për t’u mundur, edhe pse Red Bulli është shumë pranë. Një pilot si Ljuis Hamilton është në “elementët” e tij në kushte të tilla gare, sidomos kur duhet të parakalojë e të mbrohet fort, siç ndodhi në Çmimin e Madh të Portugalisë. Kampioni i botës në fuqi u parakalua për një moment nga Maks Verstapen, pastaj e kaloi holandezin, u mbrojt mirë disa herë, ndërsa kaloi edhe shokun e skuadrës, Valteri Botasin, për t’u shkëputur në fund. Ai la pas Verstapenin me plot 29 sekonda diferencë, ndërsa Botasi mbeti 4 sekonda prapa holandezit. Finlandezi mori pikën për xhiron më të shpejtë, pasi ajo iu hoq Verstapenit sepse shkeli kufijtë e pistës. Pas 3 garave të para, Hamilton ka dy fitore e një vend të dytë.  Shtatë herë kampioni i botës ka 69 pikë ndaj 61 të Verstapenit dhe 37 të Lando Norrisit. Botasi është i katërti me 32. Mercedesi kryeson me 101 pikë ndaj 83 të Red Bullit e 53 të Meklarenit.

Sfidanti.al