Sulmi ndaj kompleksit stërvitor paska qenë thjesht një “karamele”. Është shumë më serioze gjendja kur 10 000 tifozë të Mançester Junajtidit dalin në rrugë dhe nisin protestën para stadiumit. Qindra prej tyre nuk u druajtën aspak, por sulmuan “Old Trafordin”, e pushtuan “Teatrin e Ëndrrave” duke detyruar Premier Ligën që të shtyjë supersfidën Mançester Junajtid-Liverpul. Përkrahëve të “djajve të kuq” nuk u ka dalë ende zemërimi me pronarët e klubit, familjen amerikane Glejzër, për “proçkën” e Superligës Europiane, ndonëse ai plan për momentin është braktisur.
Tifozët u përleshën me policinë dhe çanë kordonët e forcave të sigurisë, natyrisht duke qenë se ndodhen në një vend të qytetëruar, kur policia nuk vret njerëz siç mund të ndodhte në shumë shtete të tjera, madje edhe në SHBA. Qindra prej tyre iu drejtuan hotelit “Louri” ku vendoset skuadra, e cila ishte e barrikaduar me forca të mëdha të policisë. Braktisja e idesë së Superligës Europiane, të përbërë nga 12 klubet (gjysma anglezë) erdhi pikërisht pas protestave të ashpra të tifozëve anglezë, si ata të Liverpulit, Çelsit, Mançester Junajtidit, Lids Junajtidit apo të tjerë.
Sfidanti.al