Ronaldo ringjallet me Udinezen, shpëton Championsin e Juves me 2 gola

Superylli portugez, tepër i kritikuar këto kohë pasi duket se “i kishte lëshuar rremat në varkë”, u bë sërish protagonist për skuadrën e tij. Kristiano Ronaldo shënoi dy gola në minutat e fundit duke i dhënë Juventusit fitoren 2-1 me përmbysje në fushën e Udinezes, e duke bërë që ish-kampionët e Italisë të mos rrezikojnë kualifikimin në Champions. Natyrisht ka ende edhe 4 javë, por “Zonja e Vjetër” është në pozita të mira, sepse ka 69 pikë, po aq sa Atalanta e vendit të dytë dhe Milani, ndërsa ndeshjen direkte ndaj kuqezinjve do ta ketë në Torino. Ronaldo arriti në 27 gola këtë sezon në Serinë A duke qenë gjithnjë e më i sigurt për Këpucën e Artë, që do ta fitonte për herë të parë. Molina kaloi Udinezen përpara në 10’, por Ronaldo barazoi në 83’ me penallti, si dhe vulosi shifrat 2-1 në minutën e fundit.

Sfidanti.al