Tirana fiton “duelin e borxheve”, Flamurtari nuk ka takat, pa para, në Kupë!

Me të drejtë, vlonjatët i trembeshin momentit. Gjendja e vështirë me financat dhe nervozizmi i lojtarëve pritej që të ndikonin ndjeshëm në duelin e Kupës ndaj Tiranës, dhe ashtu ndodhi. Pavarësisht shtyrjes me një ditë, Flamurtari nuk i shpëtoi verdiktit thuajse të pashmangshëm.

Kryeqytetasit fituan 2-0 në “Selman Stërmasi”, duke hedhur hapin e parë, tepër të rëndësishëm, drejt çerekfinaleve. Nuk pati mrekulli të dytë të portierit Koliçi, pritës i penalltisë të mërkurën, madje ishte vetë numri 1 vlonjat që gaboi në rastin e golit të dytë. Tiranasit, edhe ata me probleme dhe pa përforcimet e duhura deri tani, gjithsesi ishin më të qetë sesa miqtë.

Sulmuesi Ngo dhe mbrojtësi Hoxhallari ishin ata që shënuan, me të dyja rrjetat në 20 minutat e mbetura të pjesës së parë. Pas pushimit, skuadra e trajnerit Ardian Mema, kontrolloi ndeshjen, duke mos lejuar vlonjatët që të shkurtonin diferencën, pasi një rrjetë mund ta ndryshonte krejtësisht gjendjen e sfidës së Kupës.

Nuk është e qartë nëse të besuarit e trajnerit Ilir Daja do të kenë forca për ta përmbysur diferencën e dy golave në Vlorë, ku do të kenë edhe përkrahjen e tifozëve të tyre. Nëse çështja e financave nuk nis të marrë zgjidhje, kalimi për në çerekfinale mund të cilësohet mision i pamundur.

Sfidanti.al