Në kohë normale, Tirana do të ishte shumë e lumtur që ndeshjen e saj më të ndjerë ta luante pikërisht në stadiumin e saj, në prani të mbështetësve të vet, pikërisht kur i duhen pikët më shumë se kurrë. Nuk duket se është kështu. Klubi bardheblu do të kishte dashur që përballja me Partizanin të ishte luajtur në ndonjë stadium periferik, apo në ndonjë qytet tjetër.
Kohët nuk janë aspak të lumtura. Tifozët janë zhdukur nga “Selman Stërmasi” që kur presidenti Halili ia dha stadiumin në përdorim Partizanit, duke e quajtur një pabesi nga ana e tij. Drejtuesit i kanë bërë thirrje përkrahësve që të vijnë në derbi të premten, por tifozët sërish janë tallur: “Ne jemi pakica”.
Nuk do të kishte gjë më të rëndë për skuadrën bardheblu, për trajnerin Josa dhe presidentin Halili, që derbi që në program është në fushën e Tiranës, në stadiumin e Tiranës, të ketë një shumicë të tifozëve kundërshtarë. Morali pritet të jetë përtokë, ndërsa tiranasve u duhen pikët sepse janë vetëm 3 pikë larg zonës që të zbret nga kategoria.
Për fatin e saj të keq, Partizani e ka të pamundur t’i bëjë nder siç do të ndodhte herë tjetër. Skuadra e Starovës kërkon patjetër fitoren për të mos u shkëputur nga Kukësi dhe për të mos i dhënë ndihmë Skënderbeut, në luftën për titullin kampion.
Sfidanti.al