Njëri rezultat edhe pritej, por tjetri aspak. Partizani, pas suksesit 3-0 në Rrogozhinë kundër Egnatias, pritej të marshonte edhe ndaj Kastriotit ndonëse luante në fushë asnjanëse. Gjithsesi, në “Elbasan Arena” ndodhi diçka tjetër që i tronditi jo pak kryeqytetasit e trajnerit Dritan Mehmeti. Edhe pse patën në fushë dy përforcime si Bitrin e Kallakun, sërish të kuqtë nuk mundën të fitonin, të ndaluar në barazim 0-0 përballë një kundërshtari shumë më modest. Dëshpërimi më i madh për tifozët ishte loja e skuadrës së tyre të zemrës, sepse Partizani këtë herë krijoi pak, ndërsa pjesa e parë ishte e dobët, ashtu si në Rrogozhinë. Kastrioti, madje pati pretendime për penallti, duke konfirmuar formën e mirë të treguar me fitoren 2-0 ndaj Teutës. Ky barazim e la Partizanin në kuotën e 22 pikëve, plot 12 pikë pas Tiranës kryesuese që mund të shkëputet edhe më shumë, ashtu si edhe Kukësi, ndërsa Laçi e nisi shkëputjen.
Kurbinasit vazhdojnë një ecuri shumë të mirë rezultatesh, që kur në stol u ul Mirel Josa. Fitorja 4-2 në Durrës ndaj Teutës bëri që laçianët të ngjiten në 31 pikë e të jenë vetëm tri pikë larg Tiranës, dhe në vend të dytë. Nga dy gola në “Niko Dovana” i shënuan Deliu e Guindo, ndërsa u desh të përmbysej rezultati. Teuta e trajnerit të rikthyer Edi Martini nuk po duket aspak si ekipi kampion, titull që e fitoi vjet pikërisht me teknikun shkodran dhe rezultatet negative po vijnë radhazi. Nuk dihet qartë shkaku, por është e sigurt që durrsakët rrezikojnë vendin në Superligë, të paktën matematikisht duke qenë vetëm tri pikë larg vendit të parafundit, që mbahet nga Egnatia.
Sfidanti.al