Bajerni ende ka probleme, Nagelsmani synon sërish të mos thyhet nga Herta!

Trajneri i sotëm i Bajernit ka pasur një ecuri shumë të mirë ndaj skuadrës berlineze në karrierën e tij jo edhe aq të gjatë. Në 12 ndeshje që ka qenë përballë Hertës, Julian Nagelsmani nuk ka pësuar asnjë humbje, ndonëse është ende larg rekordit të Bundesligës, që mbahet nga Kristof Daumi me 20 ndeshje pa humbje ndaj të njëjtit kundërshtar (Bohumit). Sidoqoftë, Nagelsmani do të jetë të dielën në orën 17:30 në stadiumin “Olimpik” të Berlinit me synimin për sukses kolektiv, jo për rekorde indivuale. Bajerni ende ka disa probleme pasi Gorecka, Stanishiç dhe Dejvis kanë probleme fizike e shëndetësore, ndërsa Sarr e Çupo-Moting janë në Kupën e Afrikës. Gjithsesi, asnjë lojtar nuk ka më probleme me Kovidin, edhe pse Leroi Sane pësoi një dëmtim në stërvitje dhe është në dyshim për formacionin, ashtu si Upamekano. Kjo mund të bëjë që Pavar të vendoset në qendër të mbrojtjes, dhe Kimih (në foto) të luajë si mbrojtës i djathtë. Bajerni kryeson Bundesligën me 46 pikë ndaj 40 të Dortmundit pas 19 ndeshjeve.

Sfidanti.al