Skënderbeu, analiza e trajnerit Daja dhe injeksionet e Salihit!

Ilir Daja është padyshim një nga trajnerët më të përgatitur të futbollit shqiptar. Gjithsesi, edhe ai mund të provojë mbrëmje të vështira apo sezone të vështirë. Pas disa javësh në krye të Skënderbeut, tekniku mbetet pretendent për titull, vetëm 2 pikë larg vendit të parë, por vështirësia mbetet. Barazimet me Teutën në Korçë, Tiranën në kryeqytet dhe Kukësin po në Korçë e kanë ngadalësuar ritmin e kampionëve, edhe pse asgjë nuk është kompromentuar.

Analiza e trajnerit pas rezultatit të fundit tregon gjithë përpjekjen e tij për të krijuar një ekip siç e dëshiron, por po ashtu konfirmon atë që ai nuk e ka pasur kohën e duhur për t’ia dalë. Skënderbeu luajti një pjesë të parë shumë të mirë ndaj Kukësit, administroi pa shumë shqetësim thuajse gjithë pjesën e dytë, por e la veten në baltë në minutën e parafundit, atëherë edhe kur nuk kishte mundësi të reagonte.

“Duhet të dimë të administrojmë më mirë lojën, – ishin fjalët e Dajës, – mbrojtësit tanë duhet të jenë të qetë kur kundërshtari luan me topa të gjatë, po ashtu duhet të dinë të mbajnë pozicionet që duhet”. Trajneri tregoi edhe se Hamdi Salihin e kishte dashur në formacion, edhe pse sulmuesi nuk ishte në formën e duhur fizike.

“Salihi është lojtar shumë i rëndësishëm për ne, – tha ai, – shënoi dy gola ndaj Tiranës dhe bëmë çmos që të luante, duke e ndihmuar edhe me injeksione. Nuk mund të hidhja që nga fillimi një sulmues tjetër si Ogunjimi, që nuk e ka ritmin e duhur”. Trajneri dy herë kampion ka besim tek lojtarët e tij dhe tek vetja, ndërsa mendon se edhe episode nuk e ndihmuan Skënderbeun pasi, sipas tij, rasti i Latifit në pjesën e dytë ishte penallti. Gjithsesi, këtë sezon nuk duket e lehtë të jepet një 11-metërsh kundër Kukësit.

B.Kuka