“Mesi i ri” Dembele, ëndrra e pamundur e Barcelonës!

Kur Reali apo Barcelona e duan një lojtar, është e pamundur që transferimi të mos ndodhë. Kështu është aksioma e futbollit, ndërsa në Gjermani binomi bëhet triumvirat, pasi i shtohet edhe Bajerni. Gjithsesi, nuk do të jetë e lehtë t’i rrëmbehet Dortmundit një futbollist kaq i talentuar si Usman Dembele. Djali i ri 19-vjeçar po zhvillon një sezon si të Mesit, pasi është krijuesi kryesor i golave për Dortmundin.

Në 36 ndeshje të Borusias, Dembele ka qenë i përfshirë në 23 prej rrjetave. Trajneri Tuhel shpenzoi 15 milionë euro për ta marrë verën e kaluar nga Rena e Francës dhe talenti ia ka vlejtur shpenzimin. Për momentin, vlera e tij në tregun e futbollit besohet se ka shkuar në 28 milionë, por Barcelona ka një problem. Dembele nuk ka një klauzolë transferimi në kontratën që i përfundon në vitin 2021. Kjo do të thotë se Tuhel mund të kërkojë sa ta shohë të arsyeshme. Gjithsesi, “El Mundo Deportivo” shkruan se katalanasit do të bëjnë çmos, ndërsa nuk duhet harruar se Reali ka më shumë mundësi financiare, dhe po ashtu Bajerni është i parezistueshëm.

Sfidanti.al