Një gol i vetëm i shënuar nga Pjer-Emerik Obamejang ishte i mjaftueshëm për Dortmundin që të merrte një tripikësh ndoshta të vështirë, por tepër të rëndësishëm në Bundesligë. Skuadra e trajnerit Tuhel ia doli në fushën e vet përballë një emri modest si Ingolshtati, veçse në kampionatin gjerman vështirë të gjesh të vegjël që dorëzohen lehtë. Sulmuesi afrikan nga Gaboni shënoi që në minutën e 14-të dhe ky ishte goli i tij i 23-të, duke qenë shënuesi më i mirë i Bundesligës.
Dortmundi u ngjit në kuotën e 46 pikëve, vetëm 3 pikë më pak se Lajpcigu i vendit të dytë, por që nuk e ka luajtur ende ndeshjen e tij. Gjithsesi, Lajpcigu nuk do ta ketë të lehtë në fushën e Verderit të Bremenit që rrezikon të bjerë nga kategoria. Bajerni, ndërkaq, luan të dielën në fushën e Borusias së Mynshengladbahut, përballje më vonë se të tjerat për shkak se Gladbahu ishte në Ligën e Europës të enjtes. Bajerni kryeson me 59 pikë ndaj 49 të Lajpcigut.
Sfidanti.al