Cilët janë të fortët që frikësuan Egnatian dhe..trajnerin Tetova?

Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova na ktheu pas në kujtime të hidhura, atëherë kur futbollin e drejtonin të fortët me  “pistoleta lodër” apo copat e tullave nga shkallët e stadiumeve e deri tek kërcënimet në dhomat e zhveshjes apo ato të gjytarëve. Pas ndeshjes me Erzenin ai deklaroi:

“I qetë? Jo nuk është se jam i qetë, pak i frikësuar sepse çfarë nuk ndodhi në sallon. Duke pasur dhe presion nga njerëz civil. Këtu nuk ka kush të mbrojë, por trajneri është regjisor, nuk mund të ketë presion të asnjë lloji. Nuk është normale fare”.

Çfarë është ky presion? Po këta njerëz që enden si qënie normale në ambjentet brenda stadiumit? Delegati ka qenë i pranishëm apo ia mbathi nga frika …? Po arbitrat? Çfarë ka ndodhur në të vërtetë në “Arenën e demave”? Mos vallë ndeshjet janë rikthyer shumë pas në kohë kur rezultatin e vendosnin.. të fortët? Kjo deklaratë e Tetovës  nuk le shumë vend për interpretime por të gjitha shenjat janë aty, e dikush duhet t’i hetojë. Futbolli në Shqipëri gjithmonë ka qenë i “sherifëve” por muajt e fundit ata kanë vendosur të dalin hapur..pa pikë frike, siç i takon nderit  të  futbollit tonë…

sfidanti.al