Kanë qenë mësuar me tituj, dhe duan që t’i kenë përsëri. Dinamo jo më kot është 18 herë kampione e Shqipërisë, dhe triumfet e viteve të kaluara synohen që të jenë të arritshme menjëherë pas ngjitjes në Superligë. Skuadra kryeqytetase siguroi matematikisht kalimin në elitë pas fitores 2-0 në fushën e Vorës triumfuar në grupin A të Kategorisë së Parë, duke lënë pas rivalë si Burreli, Korabi apo Besëlidhja. Në fushën e Vorës, të besuarit e trajnerit Olsi Uku triumfuan falë dy golave të shënuar nga sulmuesi Xhixhua, dhe u bënë të paarritshëm. Tashmë mbetet vetëm finalja për titull ndaj Egnatias së Rrogozhinës që fitoi grupin B.
Gjithsesi, shpejt tek Dinamo do të ketë ndryshime të mëdha dhe do të nisë zbatimi i një projekti të ri. Burime në klub treguan se aksionerët e rinj, me në krye Ardian Bardhin, kanë plane për të përforcuar ekipin, dhe për të caktuar një trajner tjetër. Për momentin nuk jepen emra, por informacioni është që ka tri kandidatura, që janë trajnerë shqiptarë dhe që kanë fituar trofe. Nuk dihet kë do të caktojë Dinamo, por trajnerët që kanë fituar trofe në Shqipëri janë Ernest Gjoka, Shpëtim Duro, Ilir Daja, Mirel Josa apo Sulejman Starova, ndërsa në planet e Dinamos nuk është Emanuel Egbo, që doli kampion me Tiranën sezonin e kaluar. Për momentin, në “pole position” duket Shpëtim Duro. Klubi pritet të dalë zyrtarisht me projektin e ri pas finales me Egnatian, ndërsa Ardian Bardhi ka qenë sponsor tek Teuta, e bashkë me të do të jenë edhe disa aksionerë të tjerë, përfshi edhe italianin Marko Pontreli.
Sfidanti.al