Dihej që më parë se do të kishte ankand për të. Myrto Uzuni ka zgjuar interesimin e disa klubeve në Europë pas një sezoni shumë të mirë në Hungari, dhe lajmet janë që vëmendje për të ka edhe në Itali. Klube të Serisë A janë në kërkim të futbollistëve të talentuar, dhe me kosto relativisht të ulët, ndaj edhe zyra agjentësh nga Italia kanë nisur telefonatat. Nuk jepen emra konkretë të klubeve që duan sulmuesin e kombëtares shqiptare, por fakt është se në elitën italiane luajnë disa lojtarë të Shqipërisë.
Interesim konkret për 25-vjeçarin ka shprehur Olimpiakosi i Pireut, kampioni i Greqisë, ndërsa mediat hungareze kanë shkruar se Ferencvaroshi kërkon 4 milionë euro për kartonin. Uzuni është i këshilluar që të zgjedhë një kampionat tjetër, jo atë grek, sepse nuk do ta kishte si trampolinën e duhur për në ligat e forta perëndimore. Gjithsesi, e sigurt është që paraqitja e tij këtë sezon ia garanton një transferim të rëndësishëm. Sulmuesi 25-vjeçar ka shënuar 15 gola e 6 asistë këtë sezon, nga të cilët 3 rrjeta në Champions, përfshi edhe atë në fushën e Juventusit në fazën e grupeve. Për këtë nivel, ai është në garë për të fituar çmimin e lojtarit të sezonit në Hungari.
Sfidanti.al