Paris SG në prag të dështimit të sezonit, “L’Ekip: Kampionët kanë humbur “Nordin”!

Disa ekipe të mëdhenj janë vërtet në krizë, por kjo që po ndodh në Francë është jashtë imagjinatës. Paris SG, skuadra me buxhet disa herë më të madh se rivalët, por dorëzohet pa kushte edhe në garën për titull, ndërsa vetëm pak ditë më parë u eleminua nga Championsi. Skuadra me pretendime të mëdha e trajnerit Maurisio Poçetino, u ndal në barazim 1-1 në fushën e Renës, duke mbetur tri pikë pas Lilës kryesuese të Ligës së Parë të Francës. Goli i shënuar me penallti nga Nejmar në minutën e 6-të shtesë të pjesës së parë, nuk mjaftoi për kryeqytetasit, të cilët u mbërritën 20 minuta para fundit kur vendasit barazuan me anë të Girasit.

Nervat u acaruan në qiell, ndërsa PSG nuk pati në përbërje yllin kryesor, Kilian Mbape të dëmtuar. Gjithsesi, ishin të tjerët si Nejmar, Di Maria, Draksler, Markinjos, Navas apo Kimpembe. Ky i fundit, mbrojtës i kombëtares së Francësë mori edhe karton të kuq, në një fund pa lavdi të parizienëve.

“Paris SG humbet nordin, – fshikullon “L’Ekip”, – pas eleminimit nga Championsi të martën në mbrëmje, PSG lëshoi dy pikë që mund të rezultojnë vendimtare në garën për titullin. Rruga për triumfin e shenjtë është e hapur për Lilën!” Ja edhe e përditshmja e kryeqytetit, “Lë Parizien”, që vendos foton e Nejmarit pranë logos së saj: Rene-PSG 1-1, titulli i largohet Parisit!

“Janë gjëra që ndodhin në futboll, – u shpreh Poçetino, – ne luftojmë në çdo ndeshje për të fituar dhe për të pasur mundësi për titullin, por jo gjithmonë ia dalim. Jemi të zhgënjyer për rezultatin, por duhet të pranoj se kundërshtari bëri një ndeshje shumë të mirë. Gjithsesi, titulli nuk është ende i humbur”.

PSG mori Poçetinon pasi shkarkoi Tomas Tuhelin, trajnerin që i kualifikoi vjet në finalen e Championsit, dhe që doli sërish në finale me Çelsin. Kur duhen edhe vetëm 2 ndeshje deri në fund, Lilë kryeson me 79 pikë ndaj 76 të kampionëve në fuqi. Lila e fitoi bujshëm ndeshjen e saj të premten, një 3-0 në fushën e Lensit, në atë që cilësohet si derbi i veriut të Francës. Projekti i sheikëve po dështon keq këtë edicion, dhe lajmi i mirë i vetëm është rinovimi i Nejmarit deri në vitin 2026, veçse Kilian Mbape me shumë gjasë do të largohet për tek Reali.

Sfidanti.al