Reali indinjohet për abitrimin dhe kujton penalltinë e padhënë me Atletikon!

Ishte ky momenti që solli stuhinë. Tek Reali protestuan ashpër për penalltinë që arbitri Hoze Martinez Munjera i dha Seviljes, duke anuluar atë të dhënë për Benzemanë. Ivan Rakitiç kaloi në avantazh për së dyti skuadrën mike, ndërsa barazimi final 2-2 bëri që madrilenët të mos e kenë më veten në dorë në garën për titullin në La Liga. Penalltia u dha për prekje me dorë të topit nga Militao, ndërsa në aksionin pasardhës, Karim Benzema u pengua nga portieri mik. Arbitri dha penallti për Realin, por pas ndërhyrjes së VAR-it, përmbysi gjithçka.

“Aksioni që ndryshoi kampionatin, – shkruan “Marka”, – zemërim në Madrid, Butragenjo: Ndihemi të dëmtuar, aksione të tilla nuk na i kanë dhënë në favor kur kanë ndodhur kundër nesh! Zidan: Nuk më duhen shpjegimet e arbitrit! E përditshmja tjetër e kryeqytetit “AS” thekson se “Madridi humbi avantazhin, dhe shton se arbitri dha penallti të diskutueshme për Seviljen, dhe nuk e dha për Benzemanë! Atletiko varet nga vetvetja!

Drejtori sportiv i kryeqytetasve, Emilio Butragenjo, ishte i indinjuar. “Nuk po kemi fat me vendime të tilla, – tha ai, – arbitrimi ishte sërish kundër nesh. Ishte një ndëshkim i tepruar për momentin dhe për domethënien. Jemi shumë të shqetësuar dhe ndihemi të dëmtuar”. Butragenjo e pati fjalën tek penalltia që nuk iu dha Realit në derbin në fushën e Atletikos në 8 mars të këtij viti, kur topi u prek me dorë nga një lojtar vendas. Edhe në atë rast, ndëhyri VAR-i, por kjo nuk e ndihmoi Realin.

“Nëse kishte një prekje të Militaos me dorë, kishte edhe nga Sevilja, – tha trajneri madrilen, Zinedin Zidan, – nuk më bindën fjalët e arbitrit, por s’kemi ç’bëjmë. Kështu shkon, arbitron ai. Tashmë, nuk ndryshon asgjë, nuk e kemi më fatin tonë në dorë. Gjithsesi, duhet të jemi të kënaqur me ndeshjen tonë, sidomos me pjesën e dytë që ishte spektakolare”.

Ndeshja ishte vërtet e bukur dhe Reali bëri gjithçka për të fituar, por jo gjatë gjithë 90 minutave. Fernando kaloi miqtë në epërsi në 22’, ndërsa Marko Asensio barazoi në prekjen e parë të topit në minutën e 67-të. Kampionët në fuqi të Spanjës patën disa mundësi për të shënuar, por gabuan dhe kjo mund t’u kushtojë. Atletiko kryeson La Ligën me 77 pikë kur duhen edhe 3 javë deri në përfundim, Reali e Barcelona e ndjekin me nga 75.

Sfidanti.al