Është një kampionat që nuk dëshiron të njohë zot. Edhe pse kanë kaluar 17 javë, sërish Superliga mbetet e paparashikueshme, dhe ja ku Partizani u kthye sërish në garë për titull, aty ku gjendet edhe Tirana, por me Kukësin që nuk e mbajti dot ritmin. Kampionët në fuqi fituan me shumë vuajtje ndaj Vllaznisë në “Selman Stërmasi”, një suksesi si të thuash me “pikatore”.
Mjaftoi goli i mbrojtësit Bitri për të bërë detyrën, ndërsa Partizani nuk mundi të tregohej dominues as ndaj një ekipi të vendit të shtatë. Jo se nuk i pati rastet, por sepse shkodranët iu përgjigjën dhe gjithashtu rrezikuan disa herë portën e kapitenit Alban Hoxha. Kryeqytetasit vazhdojnë me problemin e vjetër, atë që shënojnë shumë pak gola, madje kjo ndodh edhe kur kanë mundësi për shumë më tepër, siç ndodhi në Durrës ndaj Teutës pak ditë më parë. Në 17 javë, kanë shënuar vetëm 19 herë, tepër pak për një ekip të këtij niveli.
Me sa duket, i dënon mungesa e një qendërsulmuesi tipik, siç Kukësi ka Vasil Shkurtajn apo Laçi ka Nuabuezen. Sidoqoftë, fitorja u arrit dhe ishte tepër e rëndësishme sepse erdhi pas tri humbjeve radhazi. Partizani nuk humbi më shumë terren në luftën për kurorën, madje iu afrua vendit të parë. Barazimi 1-1 i Kukësit me Skënderbeun, bëri që kampionët të jenë tani vetëm 3 pikë larg.
Sfidanti.al