Uldedaj, njeriu i grushtit të fortë

Jurgen Uldedaj përfaqëson më së miri përkushtimin, forcën dhe shpirtin kombëtar që karakterizon sportistët shqiptarë. I lindur në Shqipëri dhe i formuar fillimisht në vendlindje, e më pas në Gjermani e Angli, ai ka ndërtuar me durim e sakrificë një karrierë të ndritur në boksin profesionist, duke u ngjitur në mesin e emrave më të mirë të këtij sporti në arenën ndërkombëtare.

Me një bilanc mbresëlënës prej 20 fitoresh, 12 prej tyre me nokaut, Jurgeni mban lart flamurin shqiptar në çdo ring, duke dëshmuar se disiplina dhe vendosmëria janë çelësi i suksesit. Ai është kampion botëror i dyfishtë në titujt prestigjiozë “WBO Youth” dhe “WBC Youth”, suksese që i fiton që në moshë të re, si dëshmi e talentit dhe karakterit të tij të pathyeshëm.

Gjatë viteve, Uldedaj ka shtuar në koleksionin e tij edhe një sërë titujsh ndërkombëtarë, mes të cilëve: IBF International Champion, WBA Inter-Continental Champion, IBO Mediterranean Champion dhe BDB International Champion, duke e pozicionuar veten në elitën e boksit evropian dhe botëror.

Edhe pse që nga viti 2017 stërvitet kryesisht në Gjermani dhe Angli, Jurgeni ka mbetur besnik ndaj origjinës së tij – ai bokson gjithmonë nën flamurin kuqezi, duke e ngritur me krenari në shumë arena të njohura të Europës. Çdo fitore e tij është një moment i veçantë për sportin shqiptar dhe një dëshmi e shpirtit luftarak që ai bart.

Pas një periudhe të gjatë me klubin gjerman SES Boxing, Uldedaj ka hyrë në një fazë të re të karrierës duke firmosur me Queensberry Promotions, një nga organizatat më të fuqishme të boksit botëror, që menaxhon emra si Tyson Fury, Joe Joyce, Daniel Dubois, Agit Kabayel, Filip Hrgović e shumë të tjerë. Ky bashkëpunim e ka vendosur Jurgenin në qendër të vëmendjes së botës së boksit, si një pretendent serioz për majat e divizionit Cruiserweight.

sfidanti.al