Triumfi historik i Kombëtares Shqiptare në Leskovc, i mbledhur edhe me 90-minutëshin e Tiranës, ku Shqipëria zhvilloi një tjetër ndeshje të denjë, e konfirmon trajnerin Sylvinho si një njohës të mirë tashmë të ambientit dhe psikologjisë shqiptare. Ndeshja e 11 tetorit na dha bindjen se tashmë drejtuesi i stolit kuqezi është në gjendje të hyjë në “lëkurën” e shqiptarëve, për t’i kuptuar njerëzit dhe mentalitetin e një ambienti shpeshherë edhe toksik.
Në total, 180 minuta ku Serbia, si rrallëherë, është shfaqur inferiore pothuajse në çdo aspekt. Po të llogarisim rastet e humbura të Manajt nga pika e bardhë në Tiranë dhe të Bajramit në fundin e takimit të dytë, Shqipëria mund t’i kishte lënë shenja edhe më të thella një kundërshtari tashmë të plagosur dhe në pritje për të marrë goditjen fatale pas rreth një muaji.
Nëse nuk do të llogarisnim transfertën zhgënjyese në Letoni dhe paraqitjet e dobëta në Ligën e Kombeve, Kombëtarja do të kishte respektuar atë rrugëtim të nisur përpara Euro 2024 dhe me siguri do të kishim një konfirmim më të plotë për të tashmen dhe të ardhmen e kësaj skuadre.
Ndoshta dy ndeshje pozitive me Serbinë nuk reflektojnë nivelin e vërtetë të kësaj skuadre, por katër pikët që Sylvinho dhe grupi i tij morën ndaj rivalëve ballkanas janë një ilaç shumë i mirë për të qetësuar dhimbjet që kanë lënë pas zhgënjimet post-Euro 2024. Ndoshta ato do të na shërbejnë për të fituar atë besim dhe vazhdimësi që aq shumë na ka munguar në rrugëtimet tona ndërmjet eliminatoreve kontinentale apo botërore.
Nga Pirro Bardhyli