Dikur kishte emrin “djalli”, por sot nuk tremb askënd. Jo vetëm kaq, por me lehtësinë më të madhe mundet 0-5 në fushën e një kundërshtari me emër tepër modest si Atalanta. Nga tradita e 18 herë kampionëve të Italisë dhe 7 herë kampionëve të Europës nuk ka mbetur thuajse asgjë, dhe në stadiumin e Bergamos u shfaq fantazma e skuadrave të mëdha të dikurshme.
Atalanta dominoi plotësisht ndeshjen e javës së 17-të të Serisë A, duke shënuar golat radhazi. Autorë ishin Papu Gomez në pjesën e parë, si dhe Mario Pashaliç, Josip Iliçiç, sërish Iliçiç dhe Luis Muriel pas pushimit. Skuadra e trajnerit Gasperini dhe e mbrojtësit të kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ka tani 31 pikë dhe mbetet me shpresë për të kapur zonën Champions. Roma e vendit të katërt është 4 pikë larg.
Për Milanin e trajnerit Silvio Pioli ishte një dorëzim pa kushte dhe drejtuesi i klubit, Zvonimir Boban, u shpreh i zhgënjyer dhe i zemëruar, duke theksuar se ky nuk mund të jetë Milani. Pioli rrezikon seriozisht, por duket se problemi i kuqezinjve nuk është vetëm stoli. Prej shumë vitesh larg titujve në Itali dhe Europë, klubi milanez mesa duket do të duhet të presë gjatë për t’u kthyer në majë.
Sfidanti.al