Tifozët dhe ai vetë kanë kujtime të shkëlqyera së bashku. Eraldo Çinari ishte një shkodran tepër i suksesshëm tek Partizani, duke qenë protagonist i madh në sezonin 2018-2019, kur të kuqtë fituan titullin e parë pas 26 vitesh. Largimi i sulmuesit këtë edicion u cilësua një humbje e madhe për ekipin kryeqytetas, por tashmë duket se dy palët do të takohen përsëri. Burime nga Partizani informojnë se Çinari mund të kthehet nga Turqia vetëm 12 muaj pasi u bë lojtar i Samsunsporit, duke mos arritur të përshtatet siç duhet. Sulmuesi 25-vjeçar ka luajtur për 3 sezone me kryeqytetasit, pra e njeh shumë mirë ekipin.
Ai ka shënuar 24 gola, sidomos duke qenë shumë i dalluar në 2019-2020. Një vit më pas, shkodrani humbi gjysmën e sezonit pas një pezullimi nga ana e FIFA-s, por gjithsesi i mjaftoi faza e dytë për të shënuar 8 gola e për ta ndihmuar Partizanin që thuajse fitoi titullin. Skuadra e trajnerit Dritan Mehmeti ka lojtarë mjaft të mirë në sulm si Skuka apo Stenjo Zhunior, por gjithsesi i mungon një qendërsulmues tipik si Çinari dhe kjo mund ta ndihmojë që të synojë titullin vitin që vjen.
Sfidanti.al