Kombëtarja shpreson që Uzuni e Broja të rikuperohen, por Reja ka gati “rezervat”!

Mbeten edhe pak ditë, por gjithçka po merr formë. Kombëtarja shqiptare luan në 6 qershor në fushën e Islandës, ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve, dhe trajneri Edi Reja duket se e ka përzgjedhur më së shumti formacionin. Italiani do të luajë me skemën e tij të preferuar 3-5-2, dhe pritet të lerë jashtë dy mesfushorët e Empolit, Kristjan Asllanin dhe Nedim Bajramin. Asllani ka rinisur stërvijen duke lënë pas dëmtimin që kishte më parë. Po ashtu, janë stërvitur normalisht Odise Roshi dhe Klaus Gjasula. Myrto Uzuni me shumë gjasë nuk ia del ndaj Islandës për shkak të dëmtimit.

Reja ka menduar që në vend të tij, titullar për sulmin të jetë futbollisti i Tiranës, Taulant Seferi. Kjo sepse tekniku ka fiksuar Cikalleshin titullar, dhe Seferi përshtatet më mirë me lojtarin e Konjasporit përsa i përket karakteristikave teknike. Kjo do të thotë se Xhakomo Vrioni, Këpuca e Artë në Bundesligën austriake, pritet ta nisë nga stoli ndeshjen në Rejkjavik. Armando Broja, ndërkaq mbetet jashtë grumbullimit pasi ka qenë i izoluar këto ditë, i sëmurë me Kovid. Shqipëria nis edicionin në nivelin B të Ligës së Kombeve me ndeshjen në 6 qershor në Islandë, ndërsa më pas pret Izraelin në 10 qershor në Tiranë.

Formacioni i mundshëm (3-5-2): Berisha Ismajli Kumbulla Gjimshiti Balliu Abrashi Gjasula Çekiçi Hysaj Cikalleshi Seferi.

Sfidanti.al