LeBron James mund të bëjë një rikthim historik në NBA këtë mbrëmje, kur Los Angeles Lakers do të përballen me Utah Jazz në ‘Crypto.com Arena’. Nëse aktivizohet, ai do të bëhet lojtari i parë në histori që luan në 23 sezone në ligë, një rekord i paprecedent. Megjithatë, debutimi i tij mbetet i pasigurt, pasi James është listuar si “në dyshim” në raportin mjekësor të skuadrës.
“Po ecim hap pas hapi, minutë pas minute, orë pas ore gjatë këtij procesi. Kur të zgjohem nesër, ndoshta do të kem seancë për gjuajtje. Thjesht duhet të shoh si reagon trupi gjatë 24 orëve të ardhshme,” deklaroi James.
Rikthimi i “Mbretit” ka qenë shumë i kujdesshëm. Ai ishte i larguar nga kampi stërvitor, duke filluar ngarkesën me South Bay Lakers, skuadra filiale në G-League, ku zhvilloi stërvitje dhe seanca 5 kundër 5 pa probleme të veçanta. Hapi tjetër ishte rikthimi në skuadrën kryesore, ku të hënën zhvilloi stërvitjen e tij të parë të plotë me grupin.
LeBron pranoi se mungesa e gjatë i ka bërë dëm trupit: “Kjo është e pritshme. Ndiej që mushkëritë e mia janë si të një foshnje të sapolindur. Duhet t’i rikthej mushkëritë në nivelin e një të rrituri. Edhe zëri më ka ikur. Më duhet shumë çaj dhe pushim sonte.”
Prioriteti i James është të kthehet gradualisht dhe të përshtatet organikisht me skuadrën: “Tani dua të shoh mënyrat se si mund të ndihmoj këtë ekip kur të hyj sërish në rotacion.”
Rikthimi i mundshëm i James vjen në një sezon të ndryshëm nga të tjerët. Pa të, Lakers kanë filluar me bilanc 10-4, të udhëhequr nga Luka Doncic dhe Austin Reaves, të cilët po japin një performancë të shkëlqyer. Po ashtu, Deandre Ayton ka kontribuar shumë në zonën e brendshme, duke bërë një fillim të fortë sezoni.
Ky rikthim mund të shtojë edhe më shumë potencialin e Lakers dhe të nënshkruajë një moment historik në karrierën e legjendës së NBA-së.
sfidanti.al

