Luftëtari i bukur i sezonit të kaluar, ishte si një ndërtim pa leje në …Superligë!

Ruhuni nga vinçi ! Shkruhet  rëndom ku ndërtohen pallatet e reja, por e gjen edhe kur kalon  tek stadiumi qe po ndertohet.  Kujdes nga futbolli i bukur! – mund të ishte një parrullë paralajmëruese, kur flitet për të ndërtuar ekipet e reja në..Superligë. Shëmbulli më tipik është Luftëtari, një ekip që befasoi më shumë sesa ishim mësuar me ekipet debutuese: të gjithë kujtonin se do të ruanin lëkurën e tyre, kurse ata u shafqën në fushë për t’i hequr “ skalpin” kundërshtarit.  Futbolli i tyre ishte i shpejtë, i pabesë për kundërshtarin , sidomos për të ata që përgjumeshin me veprime të ngathta,i bukur për popullin që shijon lojën e çiltër,  por  aspak i këndshëm për ata që komandojnë fijet e garës.  Pse të mos gëzoheshim dhe ta mbanin gjallë sa më gjatë ekipin që erdhi nga poshtë dhe prishi letargjinë e më të mëdhenjve?  Kjo pyetje duket tejet budallaqe, kur kujton se gara jonë është si një film ku janë ndarë rolet dhe është caktuar fati i protagonistëve ende pa filluar.  Luftëtari doli nga roli, nga shinat po e po,  kur guxoi një ditë iu afrua edhe zonës së Europës, duke prishur edhe humorin e atyre që merren me regjinë e ngjarjeve..

Nuk ka dyshim, madje e thonë edhe vetë dy  personazhet e vitrinës, Bregu dhe Abazaj, se Luftëtari i një viti më parë  dukej më i pashëm në fushë, por brënda në shpirtin e ekipit ishte edhe më i qetë. Kishte më shumë harmoni dhe sekreti më i madh qëndronte tek pushteti i trajnerit serb, Milinkoviç. Krejt ndryshe nga ekipet e tjerë, ku trajneri  tund kokën si kukull para presidentit, në Gjirokastër nuk ishin treguar kurnacë me besimin ndaj tij.  Kur fliste ai,  sikur dëgjohej zëri i Zotit dhe ajo që ndodhte në fushë ishte një lloj bekimi. Kur sulmonte Abazaj  apo Bregu, më shumë talent duhej për të dribluar arbitrat sesa kundershtarët e tyre.Dhe  kur nuk të duan regjizori dhe skenaristi, arbitrat  janë të parët që futbollin e shpejtë dhe të bukur e trukojnë në një lojë plot ndalesa , ku trarët e doganës janë në fushë, por nuk shikohen nga të gjithë.  Ndaj, Luftëtari i këtij sezoni, ai që po vuan poshtë dhe nuk po shkakton dhimbje për ata lartë,  duket sikur “padashur”  ka marrë rolin që duhet të  kishte qysh në fillim… të mendojë për të shpëtuar kokën dhe jo për argëtuar. Sepse në tokën e Superligës ..lumturia blihet dhe nuk fitohet me lojë..

Sfidanti.al