Luftëtari, 4 gola Korabit në Elbasan, për të synuar Europën!

Tri humbje radhazi (edhe me dyshime, kuptohet) kishin nevojë për një përgjigje siç duhet. Luftëtari u ndihmua edhe nga fakti që përballë pati ekipin më të dobët të Superligës, ndaj edhe ia arriti qëllimit. Fitoi 4-0 në “Elbasan Arena”, stadiumi i radhës që shërbeu si “shtëpi” e dibranëve, dhe u ngjit në kuotën e 39 pikëve, pra në vendin e katërt. Mbetet në luftë me Vllazninë pikërisht për vendin e katërt, pozicion që mund të sigurojë Ligën e Europës sezonin e ardhshëm. Edhe nëse kjo nuk ndodh, vendi i katërt do të ishte lavdi më vete për gjirokastritët e trajnerit serb, Mladen Milinkoviç, që shkëlqyen edhe pse sapo erdhën nga Kategoria e Parë.

Edhe pse kapiteni Beqiri humbi penallti që në minutën e 8-të, sërish Luftëtari nuk u dekurajua. Brahimaj shënoi golin e parë të ndeshjes, dhe të parin sezonal për të, në minutën e 30-të. Më pas erdhi rrjeta shumë e bukur e Devi Bregut, ndërsa në minutat e fundit (84 e 88) shënuan Bengui dhe Rezhinaldo. Tashmë, ekipi i trajnerit të rikthyer në stol Milinkoviç ka 39 pikë në 30 javë, ndërsa Korabi mbetet i fundit me 12. Këtë herë, gjyqtarët me në krye numrin 1, Ardian Beqiri, nuk i dolën kundër gjirokastritëve, madje i dhanë edhe penallti.

Sfidanti.al