Zherar Pike vazhdon të adresojë thumba të hidhur në adresë të kundërshtarit “më të egër” të ekipit të vet, Realit të Madridit, duke e shtuar, gjithnjë e më shumë, dozën e sarkazmës, ndërsa po afron dita e “El Klasikos” mes të dy ekipeve më të mirë spanjollë. Derbi i madh do të zhvillohet të dielën e ardhshme, por “lufta” jashtë fushës, tanimë, ka filluar dhe, kështu, Pikë lëshoi provokacionin e radhës në kurriz të ekipit “mbretëror”, se ky i fundit, tanimë, është mësuar që ta fërshëllejnë, madje, edhe kur fiton. Megjithëse Barcelona u eliminua nga Juvja, mbas dy ndeshjeve çerekfinale, në Ligën e Kampioneve, tifozët në “Kamp Nou” i përcollën me duartrokitje beniaminët e tyre nga shkallët e tribunave.
Pikërisht, këtë fakt, shfrytëzoi Pike që ta ironizonte edhe një herë tjetër kundërshtarin më të madh të Barçës. “Sigurisht që ju shpon sytë ajo që patë në ‘Kamp Nou’, kur tifozët e duartrokitën ekipin e vet, edhe pse ai u eliminua”, shkroi në twitter mbrojtësi i Barcelonës, duke shtuar, “kurse ai ekipi tjetër (Reali) është mësuar që ta fërshëllejnë, edhe kur fiton!”. Pike, sigurisht, që kishte parasysh fërshëllimat që iu adresuan Kristiano Rolandos, të martën e kaluar, mbas ndeshjes me Bajernin.
sfidanti.al