Bajerni mezi barazon me Maincin, dëshira mungoi pas Realit!

Ishin rreth 75 000 tifozë në stadiumin e mbushur plot, “Alianc Arena” që detyruan më së shumti Bajernin që të mos toleronte plotësisht në përballjen e Bundesligës ndaj Maincit. Bavarezët vinin nga eleminimi i rëndë në Ligën e Kampionëve ndaj Realit, shkaktuar më së shumti nga arbitrimi i gjyqtarit hungarez Kasai, dhe u duk qartë se nuk kishin asnjë dëshirë që të dilnin në fushë dhe të zhvillonin spektaklin e tyre të zakonshëm.

Veçse, si profesionistë u detyruan të dilnin mbi vetveten, aq më tepër me 75 000 tifozët që kishin blerë biletën për të kaluar 2 orë të bukura në pasditen e së shtunës. Bojan Krkiç kaloi në epërsi miqtë në minutën e 3-të, dhe Arjen Roben barazoi në të 16-ën. Goli i dytë i Maincit erdhi në 40’ me penalltinë e shënuar nga Daniel Brosinski. Përfundimisht, Tiago Alkantara barazpeshoi shifrat në 73’ dhe Bajerni mori një pikë për të arritur në kuotën 70. Lajpcigu është në vend të dytë me 61 pikë dhe një ndeshje më pak, duke pasur ende shpresë për titull, por duket vështirë pasi mbeten edhe 4 javë kampionat.

Sfidanti.al